Investimet shqiptare jashtë vendit, në rënie për 6-mujorin e parë
Kompanitë shqiptare investuan 143 milionë euro jashtë vendit në gjashtëmujorin e parë 2026, me rënie 18.3%.
Investimet shqiptare jashtë vendit shënuan rënie për të dytin tremujor radhazi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të vitit 2026 investimet shqiptare jashtë vendit zbritën në 80 milionë euro, 12% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Të dhënat progresive për gjashtëmujorin e parë të vitit tregojnë një rënie edhe më të fortë. Vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 143 milionë euro, 18.3% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Mbi 42% e flukseve të reja shkuan në kapital
Në pjesën më të madhe, investimet shqiptare jashtë vendit përbëhen nga kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë Shqipërisë. Këto injektime kapitali përbënin më shumë se 42% të fluksit të ri të investimeve shqiptare jashtë vendit gjatë gjashtëmujorit të parë 2026.
Pjesa tjetër përbëhet nga fitimet e riinvestuara të kompanive shqiptare në filialet e tyre jashtë vendit, si edhe nga huadhënia e aksionarëve shqiptarë për këto kompani.
Bilanci neto i investimeve arrin në minus 1 miliard euro
Bilanci neto i investimeve të huaja direkte për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 ishte negativ, në një vlerë të përgjithshme prej 1 miliard eurosh. Bilanci negativ në llogarinë e investimeve të huaja tregon se investimet e huaja direkte hyrëse në Shqipëri mbeten shumë më të larta krahasuar me investimet shqiptare jashtë vendit.
Ky bilanc negativ është zgjeruar me 71% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Zgjerimi ka ardhur në kushtet kur investimet e huaja në Shqipëri janë rritur me ritme të larta gjatë këtij viti, veçanërisht në tremujorin e dytë, ndërsa investimet shqiptare jashtë vendit kanë shënuar rënie.
Bizneset shqiptare po zgjerojnë investimet përtej rajonit
Të dhënat statistikore për investimet e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit nuk ofrojnë një ndarje të detajuar sipas shpërndarjes gjeografike apo sektorëve. Megjithatë, disa prej grupeve më të rëndësishme shqiptare të biznesit prej vitesh po diversifikojnë praninë e tyre gjeografike, duke kryer investime të konsiderueshme jashtë vendit.
Deri pak vite më parë, investimet përqendroheshin kryesisht në tregjet fqinje të rajonit. Në vitet e fundit, bizneset shqiptare kanë zgjeruar praninë edhe drejt tregjeve të Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
605 milionë euro investime shqiptare në Kosovë
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës japin një panoramë më të detajuar për investimet shqiptare në Kosovë, që vlerësohet të jetë vendi me përqendrimin më të madh të investimeve shqiptare jashtë vendit.
Sipas BQK-së, deri në fund të marsit 2026, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë arriti në 605 milionë euro, me një rritje vjetore prej 23.5%. Me këtë vlerë, Shqipëria renditet investitori i pestë më i madh në Kosovë. Investimet shqiptare janë të përqendruara kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, sektorin financiar dhe industrinë nxjerrëse.